
Një re masive pluhuri saharian ka përfshirë Italinë dhe po shtrihet mbi Shqipëri e vendet e tjera të Ballkanit, duke ndikuar në pamjen e qiellit dhe cilësinë e ajrit.
Sipas hartave të publikuara nga Meteored, bazuar në të dhënat e Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës Copernicus, masa e pluhurit është transportuar nga Afrika e Veriut drejt Mesdheut, së bashku me rrymat e ajrit të nxehtë.
Episodi nisi të ndikonte ndjeshëm në Sardenjë dhe në jugun e Italisë më 25 gusht, ndërsa kulmi u parashikua për datat 27 dhe 28 gusht. Përqendrimet e larta u përhapën më pas në pjesën qendrore dhe veriore të vendit.

Harta për të premten, 28 gusht, në orën 12:00, tregon se reja ka kaluar Adriatikun dhe ka përfshirë pothuajse të gjithë Shqipërinë. Tirana paraqitet me një vlerë AOD rreth 0.308, duke dëshmuar praninë e konsiderueshme të pluhurit në kolonën atmosferike.
Vetëm disa orë më parë, të enjten në mbrëmje, vlera e paraqitur për kryeqytetin ishte rreth 0.011. Ndryshimi tregon zhvendosjen e shpejtë të masës së pluhurit nga Adriatiku drejt territorit shqiptar.
Ndikimi pritet të jetë më i dukshëm në ultësirën perëndimore dhe zonat pranë bregdetit. Qielli mund të duket i turbullt, i zbehtë ose me nuanca të verdha, ndërsa mund të ketë edhe ulje të dukshmërisë.
Pluhuri mund të depozitohet mbi automjete, dritare dhe sipërfaqe të tjera. Nëse shoqërohet me reshje, pikat e shiut mund ta sjellin atë në tokë, duke krijuar të ashtuquajturin “shi me baltë”.
Prania e grimcave sahariane mund të ndikojë edhe në cilësinë e ajrit, veçanërisht nëse pluhuri zbret në shtresat pranë tokës. Personat me astmë, alergji, sëmundje të mushkërive ose probleme kardiovaskulare duhet të shmangin qëndrimin e zgjatur jashtë dhe aktivitetin e rëndë fizik.
AOD mat sasinë e grimcave në të gjithë kolonën e atmosferës dhe jo vetëm pranë sipërfaqes. Për këtë arsye, ndikimi i drejtpërdrejtë në shëndet varet edhe nga përqendrimet tokësore të grimcave PM10.
Burimi: Meteored/Copernicus CAMS






