Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi pas debatit të shkaktuar nga deklaratat për hapjen e një konsullate serbe në Shqipëri, duke sqaruar se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.

Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se çdo hap do të ndërmerret vetëm nëse dhe kur të dyja palët bien dakord për të gjitha aspektet e procesit.

Sipas ministrit, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike, por ai nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje apo objektiva mes dy shteteve.

Hoxha nënvizoi se interesi kryesor i Shqipërisë është krijimi i një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Sipas tij, kjo do të mundësojë mbështetje më të drejtpërdrejtë për shqiptarët e zonës dhe mbrojtje më të mirë të të drejtave dhe interesave të tyre.

Ai shprehu keqardhje që debati publik është përqendruar tek interesat e supozuara të Serbisë, duke anashkaluar, sipas tij, përfitimin konkret që sjell hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës.

Në përfundim, Hoxha theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat evropiane, standard që, sipas tij, vendi synon ta ruajë edhe si anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu