Tetë vatra zjarri mbeten aktive në Shqipëri, ndërsa situata paraqitet më problematike në Librazhd, Dibër, Bulqizë dhe në malin e Dajtit.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të së premtes ishin raportuar 17 vatra, nga të cilat tetë aktive, katër nën mbikëqyrje dhe pesë të shuara plotësisht.

Në Xhyrë të Librazhdit, flakët e favorizuara nga era iu afruan zonës së banuar. Dy banesa u evakuuan, ndërsa mjetet zjarrfikëse u pozicionuan pranë tyre. Në operacion u përfshi edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Në Sllatinë të Dibrës, zjarri kaloi në një pyll me pisha të larta, pasi situata u përkeqësua nga temperaturat dhe era. Mbi 100 forca dhe një helikopter po punojnë për shuarjen e tij, por aktualisht nuk rrezikohen banesat.

Në Vajkal të Bulqizës janë angazhuar 95 forca, përfshirë 20 efektivë të ushtrisë, si dhe një helikopter. Një tjetër vatër vijon në Qafën e Helmës, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në malin e Dajtit vijojnë tre vatra të riaktivizuara në zonën e Qafë Priskës dhe në kreshtën e malit. Në terren ndodhen 25 forca zjarrfikëse dhe punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura.

Zjarri në Tërbuq të Gjirokastrës përshkoi rreth 30 hektarë, por është vendosur nën kontroll dhe nuk rrezikon më banorët. Operacionet vijojnë gjithashtu në Dragot të Tepelenës dhe në Çorrush të Mallakastrës.

Në Tërbaç të Himarës po punohet për shuarjen e flakëve në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Operacioni u mbështet nga dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.

Në rang vendi janë angazhuar 50 efektivë ushtarakë, katër helikopterë dhe një avion “Air Tractor”. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se strukturat mbeten në gatishmëri, me përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Burimi: Ministria e Mbrojtjes

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu