Shqipëria renditet ndër vendet më të prekura në Europë nga pasojat e ndotjes së ajrit, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2023.

Statistikat tregojnë se në vend regjistrohen 129 vdekje të parakohshme për çdo 100 mijë banorë si pasojë e ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, duke e renditur Shqipërinë në vendin e katërt në Europë për këtë tregues.

Më të prekur rezultojnë vetëm Maqedonia e Veriut me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë dhe Hercegovina me 139 dhe Serbia me 132.

Shifra e Shqipërisë është më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian, e cila për vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Të dhënat nxjerrin në pah ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin publik, pavarësisht se Shqipëria nuk ka një industri të rëndë të krahasueshme me shumë vende të tjera europiane. Ekspertët e lidhin ndotjen kryesisht me emetimet e automjeteve, djegien e lëndëve për ngrohje, aktivitetet e ndërtimit dhe pluhurin urban.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu