
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për rrezikun e luftës hibride dhe ndërhyrjeve të huaja, duke theksuar se Shqipëria duhet të forcojë rezistencën ndaj fushatave të dezinformimit, ndërsa avancon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, Rama u ndal te protestat e opozitës, të cilat i quajti “revolucioni i flamingove”, duke i cilësuar si një shembull të qartë të dezinformimit.
“Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarjeje të krijuar, që u shfrytëzua si mënyrë për të depërtuar armiqtë tanë”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, sa më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian të jetë një vend, aq më shumë shtohen përpjekjet e aktorëve të huaj për të ndërhyrë përmes sulmeve hibride dhe manipulimit të informacionit.
“Ne jemi në pararojë. Kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata të tilla. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se qeveria shqiptare do të vijojë me vendosmëri drejt fazës përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar mbrojtjen nga dezinformimi si një element kyç të sigurisë kombëtare.






