Hayden Panettiere në rolin e Claire Bennet, nxitëses së tifozëve me fuqi të mbinatyrshme, në serialin “Heroes”, rreth vitit 2006.

Aktorja amerikane Hayden Panettiere, e njohur për rolet e saj në serialet “Heroes” dhe “Nashville”, ka vdekur në moshën 36-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga babai i aktores, Skip Panettiere, i cili tha se familja po përjeton me dhimbje të thellë humbjen e saj. Shkaqet e vdekjes nuk janë bërë ende publike.

Policia në Greenville të Karolinës së Jugut njoftoi se u thirr të dielën pas raportimit për një grua pa ndjenja. Pavarësisht ndihmës mjekësore, Panettiere u shpall e vdekur në vendngjarje. Sipas hetimeve paraprake, nuk ka shenja që të tregojnë për një krim apo rrethana të dyshimta.

 

Image

Panettiere e nisi karrierën që fëmijë, ndërsa fama ndërkombëtare erdhi me personazhin Claire Bennet, vajza me aftësi të mbinatyrshme në serialin “Heroes”. Më pas interpretoi Juliette Barnes në “Nashville”, rol që i solli dy nominime për Golden Globe. Ajo u shfaq gjithashtu në filma si “Remember the Titans” dhe në serinë horror “Scream”.

Image

Gjatë viteve të fundit, aktorja kishte folur publikisht për periudhat e vështira të jetës së saj dhe betejën me varësinë, depresionin pas lindjes dhe trauma të tjera personale. Në vitin 2023 ajo humbi edhe vëllanë, Jansen Panettiere, i cili vdiq në moshën 28-vjeçare.

Pas lajmit për vdekjen e saj, kolegë dhe miq nga Hollywood-i, mes tyre Viola Davis, Selma Blair dhe David Arquette, kanë reaguar me mesazhe homazhi.

Hayden Panettiere la pas vajzën e saj Kaya, nga marrëdhënia me ish-kampionin botëror të boksit Wladimir Klitschko.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu