
Një zakon i vjetër i futbollit europian merr fund. Nga sezoni 2026-2027, tifozët që ndjekin ndeshjet e Serie A nga stadiumi do të mund të shohin në tabelën elektronike edhe kalimin e minutave të kohës shtesë.
Deri tani, kronometri i stadiumit ndalonte në minutën e 45-të dhe të 90-të, pavarësisht minutave shtesë të akorduara nga arbitri. Spektatorët në tribuna dinin sa minuta ishin dhënë nga arbitri i katërt, por nuk mund të shihnin në tabelë se sa prej tyre kishin kaluar. Ndërkohë, teleshikuesit e kishin kronometrin të vazhdueshëm në ekran.
Lega Serie A ka njoftuar se ka adoptuar qarkoren 51/2026 të UEFA-s, e cila parashikon shfaqjen e kohës shtesë në tabelat dhe ekranet e stadiumeve.
Sistemi nuk do të funksionojë duke e çuar kronometrin normalisht nga 90 në 91, 92 apo 93 minuta. Koha shtesë do të shfaqet veçmas, sipas formulës “90+x”. E njëjta mënyrë do të përdoret pas pjesës së parë, me “45+x”, si dhe gjatë shtesave në ndeshjet që kërkojnë 120 minuta.
Megjithatë, kronometri nuk do të përcaktojë përfundimin e ndeshjes. Minutat e treguara nga arbitri i katërt përfaqësojnë kohën minimale shtesë dhe gjyqtari mund ta zgjasë ndeshjen nëse gjatë saj ka ndërprerje të tjera.
“Shfaqja e kohës shtesë përfaqëson një hap të natyrshëm në modernizimin e eksperiencës në stadium”, deklaroi administratori i deleguar i Lega Serie A, Luigi De Siervo.
Sipas tij, në këtë mënyrë merr fund një situatë tashmë anakronike, ku spektatorët në stadium nuk kishin të njëjtin informacion në kohë reale si ata që ndiqnin ndeshjen në televizor.
Ndryshimi do të zbatohet edhe në kompeticionet e UEFA-s dhe do të ndikojë indirekt edhe te futbollistët, të cilët tashmë do të kenë një referencë vizuale për kohën e kaluar pas minutës së 90-të.
Kështu, nga sezoni 2026-2027, për të kuptuar sa nga koha shtesë ka kaluar, tifozëve në stadium nuk do t’u duhet më të kontrollojnë orën apo telefonin. Do të mjaftojë të shohin tabelën.






