
Për më shumë se gjysmë shekulli, Kosova ka ndërtuar një histori të pasur festivalesh, nga aktivitetet e para kulturore të fundit të viteve ’60 deri te eventet e mëdha që sot tërheqin vizitorë dhe promovojnë vendin jashtë kufijve. Tani, për herë të parë, 146 prej tyre janë dokumentuar në një studim të posaçëm.
Monografia “Festivalet e Kosovës – Një histori gjysmëshekullore, studim monografik gjeografiko-turistik”, e autorit Dr. Fitim Humolli, profesor i gjeografisë dhe turizmit në Universitetin e Prishtinës, sjell një panoramë të zhvillimit të festivaleve në Kosovë dhe ndikimit të tyre në kulturë, turizëm, ekonomi dhe komunitetet lokale.
Studimi nisi në fund të vitit 2020 dhe fillim të vitit 2021, fillimisht si punim master, për t’u shndërruar më pas në një kërkim shumëvjeçar. Përmes intervistave, punës në terren, arkivave, statistikave dhe analizave shkencore janë dokumentuar 146 festivale të zhvilluara në Kosovë deri në vitin 2024.
Historia e dokumentuar nis në vitin 1969 me “Akordet e Kosovës”, vijon me “Festivalin e Teatrove” në Ferizaj më 1970 dhe “Kosovarja Këndon” më 1972. Në dekadat që pasuan, disa festivale u zhdukën, të tjera u rikthyen, ndërsa një pjesë u shndërruan në marka të njohura edhe jashtë Kosovës.
Sipas profesor Humollit, mes festivaleve me ndikim, primatin sot e mban Sunny Hill Festival.
Një tjetër rast i veçantë i analizuar është Etno Festi në Kukaj, i cili tregon se si një festival mund ta shndërrojë një hapësirë rurale në një destinacion të njohur kulturor dhe turistik.
Pikërisht këtu qëndron edhe një nga përfundimet kryesore të studimit: festivalet nuk janë vetëm argëtim. Ato mund të gjenerojnë ekonomi, të nxisin turizmin, të forcojnë identitetin kulturor dhe të promovojnë qytete e zona të tëra.
Megjithatë, studimi evidenton edhe problemet. Numri i madh i festivaleve nuk përkthehet domosdoshmërisht në cilësi. Financimi jo i qëndrueshëm, mangësitë organizative dhe mungesa e strategjive afatgjata renditen ndër sfidat kryesore.
Recensenti i monografisë, prof. dr. Dhimitër Doka, e ka vlerësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për studimet mbi gjeografinë e turizmit dhe trashëgiminë kulturore.
Për autorin, dokumentimi i 146 festivaleve nuk përbën fundin e kërkimit, por pikënisjen e tij.
“Studimet tona për festivalet nuk janë pjesë e plotësimit të mozaikut, por janë fillim i ndërtimit të tij”, është një prej mesazheve të autorit.
Pas më shumë se 50 vitesh festivale, Kosova tashmë ka edhe një dëshmi të shkruar të mënyrës se si festa, muzika, teatri dhe tradita janë kthyer në pjesë të identitetit dhe promovimit të saj.






