
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas protestave me të cilat është përballur kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka hedhur akuza ndaj disa prej personave që janë shfaqur në protestat kundër kryeministrit, duke pretenduar se ata nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe se janë paguar për të zhvilluar këto veprime.
“Këto tre-katër sorra që shfaqen kudo të njëjtët, njëri prej tyre një M.M., i njëjti edhe para dy vitesh në New York edhe në Londër, pastaj në Bulevard me ditë të tëra, janë persona me emra të ndryshuar dhe histori shtëpish bari”, shkruan Balla.
Ai pretendon më tej se personat në fjalë “nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët e Amerikës” dhe se “janë paguar” për të protestuar. Balla nuk paraqet në postimin e tij prova publike për pretendimin mbi pagesat.
Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama është përballur me protesta gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pamjet e publikuara tregojnë protestues që lëshojnë thirrje kundër tij, ndërsa në një prej episodeve janë hedhur edhe vezë në drejtim të kryeministrit.
Balla, i cili ndodhet gjithashtu në SHBA, është përballur drejtpërdrejt me një prej protestuesve pranë hotelit ku qëndronte delegacioni. Në pamjet e publikuara, personi i drejtohet Ballës me pyetje dhe akuza lidhur me kostot e qëndrimit, ndërsa socialisti nuk ndalet për t’iu përgjigjur.
Në reagimin e tij, Balla e lidhi protestën edhe me praninë e Ramës në aktivitetet me komunitetin shqiptaro-amerikan, duke shkruar: “Ndërsa Kryeministri Rama mbron në New York çlirimtarët dhe flet për Shqipërinë Europiane, këta i bëjnë hyzmetin atyre që i paguajnë.”






