
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer takimet e “Foltores” në qytete dhe nga Elbasani këtë të premte ka prezantuar edhe qëndrimin e opozitës për reformën administrativo-territoriale.
Berisha kundërshtoi projektin për reduktimin e numrit të bashkive, duke pretenduar se ndryshimet e propozuara nuk u shërbejnë qytetarëve, por synojnë forcimin e pushtetit të mazhorancës.
Sipas tij, në vend që të korrigjohen problemet e reformës së mëparshme, po synohet heqja e 15 bashkive të tjera. Berisha tha se vetëm në qarkun e Elbasanit rrezikojnë të hiqen tri bashki, të cilat ai i cilësoi “funksionale dhe të suksesshme”.
Kreu i PD-së deklaroi se opozita ka një projekt të kundërt, që parashikon jo pakësimin, por shtimin e njësive vendore.
“Ne jo që nuk heqim bashki, por ne shtojmë të paktën edhe 40 bashki, dhe këtu në qarkun e Elbasanit dhe në çdo qark të Shqipërisë, në mënyrë që qytetarët të jenë sa më afër pushtetit”, tha Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë vendit që t’i bashkohen opozitës kundër qeverisë.
“Të vendosur dhe me guxim t’i japim përgjigjen përfundimtare këtij regjimi që s’meriton të qëndrojë në pushtet asnjë ditë”, deklaroi Berisha.
Ai përdori akuza të forta ndaj mazhorancës, duke e cilësuar qeverisjen si “diktaturë që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve”, ndërsa tha se opozita do të vijojë aksionin e saj politik.






