
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar akuza të forta ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden për çështjen e Hashim Thaçit, gjatë fjalës së mbajtur në mbrëmjen gala të organizuar në Nju Jork nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Duke folur për mungesën e ish-presidentit të Kosovës në aktivitet, Rama tha se Thaçi nuk mund të ishte i pranishëm, pasi ndodhet në Hagë, ndërsa deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht Biden nuk bënë sa duhet për të.
“Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne sot këtu dhe ai nuk mund të jetë sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni që emërtoi George Washingtonin e Kosovës e tradhtoi”, deklaroi Rama.
Kryeministri përmendi edhe gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke theksuar se ai dhe miq të tjerë amerikanë të Kosovës kishin bërë përpjekjet e tyre, por sipas Ramës, SHBA si shtet mund të kishte bërë më shumë për Thaçin.
Rama sqaroi se deklarata e tij nuk duhej interpretuar si vënie në diskutim e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, të cilat i cilësoi si aleatin më të madh dhe më të fuqishëm të shqiptarëve.
“Ndaj ndihem i tradhtuar sepse jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. E së pari, e mbi të gjitha duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, u shpreh Rama, duke iu referuar procesit ndaj Thaçit.
Kreu i qeverisë e cilësoi ish-presidentin e Kosovës “George Washingtonin e Kosovës” dhe “një udhëheqës të madh”, ndërsa shprehu zhgënjimin për faktin që ai vazhdon të jetë në Hagë.






