
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X pas protestave dhe kritikave ndaj qeverisë, duke përdorur tone të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë dhe duke mbrojtur rezultatet e reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.
Rama iu drejtua atyre që, sipas tij, “mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike”, ndërsa deklaroi se gjatë qeverisjes së tij flamuri shqiptar është ngritur “më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”.
Kryeministri tha se protestat dhe akuzat nuk do ta ndalin në atë që ai e cilësoi si misionin për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Kur kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar”, shkroi Rama.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë u ndal gjerësisht edhe te drejtësia. Sipas Ramës, Shqipëria ka sot, për herë të parë, një sistem institucional që tregon “aftësi vetëpastrimi”, të cilën ai e konsideroi një prej rezultateve të reformave të ndërmarra gjatë qeverisjes së tij.
Rama kundërshtoi gjithashtu interpretimin se rastet e korrupsionit të hetuara nga drejtësia dëshmojnë se vendi është “i mbytur” nga ky fenomen. Sipas tij, fakti që ka hetime dhe rezultate konkrete tregon se sistemi po funksionon.
“Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit”, shkroi kryeministri, duke pretenduar se Shqipëria nuk është më në situatën e dikurshme.
Ai shtoi se Bashkimi Europian, sipas tij, e vlerëson gjithnjë e më shumë Shqipërinë për luftën kundër korrupsionit, ndërsa e mbylli reagimin me sulme të forta verbale ndaj kundërshtarëve politikë dhe mediatikë, të cilët i cilësoi “gjela tallagjarë të pazarit politik e mediatik”.






