
Ajo që për shumë familje duket si një lojë e zakonshme verore në plazh, në Itali mund të ketë pasoja edhe penale. Kapja e gaforreve, peshqve të vegjël, molusqeve, yjeve të detit apo kandilëve dhe mbajtja e tyre në kova me pak ujë mund të konsiderohet keqtrajtim i kafshëve.
Problemi nuk është vetëm largimi i tyre nga habitati. Në enët plastike të ekspozuara në diell, temperatura e ujit rritet me shpejtësi dhe niveli i oksigjenit bie, ndërsa kafshët mund të pësojnë dëmtime gjatë kapjes dhe prekjes. Edhe nëse më pas rikthehen në det, stresi dhe dëmtimet e shkaktuara mund të rrezikojnë mbijetesën e tyre.
Sipas nenit 544-ter të Kodit Penal italian, keqtrajtimi i kafshëve mund të dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet dhe gjobë nga 5 mijë deri në 30 mijë euro.
Pasojat bëhen më të rënda nëse veprimet shkaktojnë ngordhjen e kafshës. Sipas nenit 544-bis, dënimi mund të arrijë deri në tre vjet burg, ndërsa në rastet e torturës ose zgjatjes së qëllimshme të vuajtjeve mund të shkojë deri në katër vjet, krahas gjobave që mund të arrijnë në 60 mijë euro. Vlerësimi bëhet rast pas rasti nga autoritetet.
Organizatat italiane për mbrojtjen e kafshëve OIPA dhe ENPA u bëjnë thirrje prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të përdorin rrjeta dhe kova për të kapur kafshët e detit. Në vend të kësaj, sugjerojnë vëzhgimin e tyre në habitatin natyror me maskë, snorkel ose fotografi nënujore.
OIPA ka nisur edhe fushatën “Lodër apo qenie e gjallë? Gjej ndryshimet”, me materiale informuese që synojnë të ndërgjegjësojnë pushuesit në plazhet italiane.
Pra, loja klasike e verës me rrjetë dhe kovë nuk është gjithmonë aq e pafajshme sa duket: kafshët e detit nuk janë lodra dhe, në raste të rënda, keqtrajtimi i tyre mund ta kthejë një ditë plazhi në çështje penale.






