Banorët e Poliçanit kanë protestuar mbrëmjen e së enjtes kundër draftit të reformës administrativo-territoriale, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë së Poliçanit me Bashkinë e Beratit.

Të mbledhur në qendër të qytetit, protestuesit kërkuan që Poliçani të mos hiqet nga harta e bashkive, ndërsa shprehën kundërshtimin e tyre me pankarta dhe thirrje kundër ndryshimeve të propozuara.

Gjatë protestës, disa mbështetës të Partisë Socialiste dogjën publikisht teserat e anëtarësisë në shenjë proteste ndaj projektit të paraqitur.

Po ashtu, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, njoftoi dorëheqjen e tij publike, duke e cilësuar propozimin për bashkimin e bashkisë si një padrejtësi ndaj qytetarëve të zonës.

Banorët firmosën gjithashtu një peticion, me të cilin kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e hartës së re territoriale dhe që qëndrimi i tyre të merret në konsideratë gjatë procesit të konsultimit.

Drafti i reformës administrativo-territoriale, i prezantuar nga mazhoranca, parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkaktuar reagime dhe kundërshtime në disa zona të vendit.

.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu