
Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar një dokument të ri strategjik me titull “Prania Besnike”, që sipas tij do të shërbejë si udhërrëfyes për organizimin e partisë gjatë mandatit të katërt qeverisës.
Gjatë një takimi me grupin parlamentar dhe drejtuesit politikë të PS-së, Rama tha se dokumenti është një aneks i strategjisë “Besa” dhe i drejtohet ekskluzivisht Partisë Socialiste.
Sipas tij, “Prania Besnike” synon ta vendosë partinë në funksion të sfidave të fazës së re të qeverisjes, duke u fokusuar te organizimi dhe funksionimi i strukturave të saj.
“Ky është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar për të diskutuar dimensionin e partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe shumica qeverisëse. Dokumenti ‘Prania Besnike’ i adresohet vetëm partisë dhe është aneksi i dokumentit strategjik ‘Besa'”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se diskutimet e radhës do të përqendrohen te ajo që ai e quajti “makineria e Partisë Socialiste”, në funksion të objektivave të mandatit të katërt qeverisës.






