Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ftuar opozitën që javën e ardhshme të marrë pjesë në ngritjen e një komisioni të posaçëm për fazën e dytë të Reformës Administrative Territoriale, e cila do të fokusohet jo më te ndarja e bashkive, por te kompetencat e tyre.

Duke folur në Kuvend, Balla e bëri të qartë se mazhoranca do ta votojë sot hartën e re territoriale, ndërsa opozitës i la një javë kohë për të përgatitur propozimet për kompetencat që duhet t’u kalojnë njësive të reja vendore.

“Ditën e enjte, javën e ardhshme, të ngremë së bashku komisionin e posaçëm të reformës territoriale, tashmë jo për pjesën e ndarjes, por për pjesën e kompetencave”, deklaroi Balla.

Ai iu drejtua drejtpërdrejt deputetëve të opozitës, duke u kërkuar të përdorin javën në vijim për të hartuar propozimet e tyre.

“Keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave. Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër, mendoni, bëni gati propozimet”, tha kreu i grupit socialist.

Sipas Ballës, pas miratimit të hartës së re, diskutimi duhet të zhvendoset te funksionet dhe kompetencat që do të ushtrojnë bashkitë, me synimin që një pjesë e tyre të marrin më shumë përgjegjësi dhe të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët.

Ai tha se socialistët janë të gatshëm t’u transferojnë bashkive të reja kompetenca që sot disa prej njësive vendore nuk i ushtrojnë ose nuk arrijnë t’i ofrojnë në mënyrë efektive.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu