
Sali Berisha ka kërkuar që Reforma Territoriale të mos miratohet vetëm me votën e Parlamentit, por t’i nënshtrohet referendumit, duke argumentuar se për një çështje që prek drejtpërdrejt organizimin vendor duhet të vendosin qytetarët.
Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i Partisë Demokratike u bëri thirrje deputetëve të rrëzojnë projektin e mazhorancës dhe të hapin rrugën për një votim popullor.
“Të vendosim sot të shkojmë në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që mbi të gjitha ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, Reforma Territoriale lidhet drejtpërdrejt me shërbimet ndaj qytetarëve, të ardhmen e komuniteteve dhe zhvillimin vendor, ndaj vendimi nuk duhet të merret pa konsultim të drejtpërdrejtë me zgjedhësit.
Berisha propozoi që në referendum të paraqiten dy variante dhe ai që merr mbështetjen më të madhe të qytetarëve të miratohet më pas nga Kuvendi.
“Cilin variant të votojnë qytetarët, atë variant të vijmë dhe ta sanksionojmë këtu. Kjo është e vetmja rrugë”, tha ai.
Kreu i PD-së sulmoi ashpër mazhorancën, duke e akuzuar se po miraton një projekt që, sipas tij, është në kundërshtim me interesat e qytetarëve.
Ai u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që ta rrëzojnë nismën, duke e paraqitur votimin si një provë të qëndrimit të tyre ndaj zgjedhësve.
Debati për Reformën Territoriale është një nga çështjet kryesore të seancës së sotme parlamentare, ndërsa opozita kundërshton variantin e propozuar nga socialistët dhe kërkon që qytetarët të kenë fjalën përfundimtare.






