
Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka ndarë detaje mbi zgjerimin e aktivitetit të grupit BALFIN në Shtetet e Bashkuara, duke prezantuar projektet që po zhvillohen nga kompania Balfin Americas.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mane bëri të ditur se një pjesë e projekteve janë përfunduar dhe tashmë strehojnë qindra familje dhe biznese, ndërsa shumë të tjera janë në faza të ndryshme zhvillimi.
“Jemi krenarë të ndajmë një pamje të asaj që Balfin Americas ka ndërtuar në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Disa nga projektet tona tashmë janë përfunduar dhe janë bërë shtëpi për qindra familje dhe biznese”, shkruan Mane.
View this post on Instagram
Sipas tij, gjatë viteve të ardhshme pritet të dorëzohen qindra njësi të reja banimi, duke rritur ofertën e strehimit në tregun amerikan.
Balfin Americas nuk po fokusohet vetëm te ndërtimi i banesave, por edhe te zhvillimi i lagjeve të reja dhe investimet në komunitete që kanë nevojë për mbështetje më të madhe.
Në postim theksohet se kompania po investon në programe të strehimit të përballueshëm, çati të gjelbra dhe infrastrukturë miqësore për biçikletat, me synimin për të krijuar mjedise më të qëndrueshme për banorët.
Portofoli i kompanisë përfshin gjithashtu ndërtesa moderne zyrash të kategorisë “Class A”, të konsideruara si standardi më i lartë në tregun e pasurive të paluajtshme komerciale.
“Po ofrojmë hapësira premium që mbështesin rritjen e biznesit në tregjet ku operojmë”, thekson Mane.
Zgjerimi i Balfin Americas vjen në një periudhë kur Samir Mane po konsolidon pozicionin e tij si një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në arenën ndërkombëtare, ndërsa sipas renditjes së fundit të Forbes, pasuria e tij ka arritur në 1.9 miliardë dollarë.






