Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka reaguar zyrtarisht pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në Zvërnec, ku pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private.

Në deklaratën e saj, Athina shpreh “shqetësim të fortë” për ngjarjet e 30 majit, duke bërë të ditur se mes të plagosurve ndodhet edhe një shtetas grek.

Sipas Ministrisë së Jashtme greke, Ambasada e Greqisë në Tiranë ka nisur kontaktet me autoritetet shqiptare për të kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe identifikimin e personave përgjegjës.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet e ndodhura më 30 maj 2026 në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ndodhej edhe një shtetas grek që mbeti i plagosur”, thuhet në reagim.

Athina thekson se po ndjek nga afër zhvillimet dhe kërkon që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi ligjore për ngjarjen.

Në deklaratë vihet theksi edhe te respektimi i shtetit të së drejtës, mbrojtja e të drejtave të pronës dhe garantimi i të drejtave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri.

“Ritheksojmë nevojën për respektimin e plotë të shtetit të së drejtës, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek”, nënvizon Ministria e Jashtme greke.

Po ashtu, Athina i referohet edhe mbrojtjes së zonave të mbrojtura mjedisore, duke e lidhur këtë çështje me standardet e Bashkimit Europian dhe procesin e integrimit të Shqipërisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke lidhur me incidentet e ndodhura gjatë protestës në zonën e Pishë Poro-Nartës në Zvërnec.

Në një reagim zyrtar, Tirana shprehu keqardhje për ngjarjen dhe bëri të ditur se autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për zbardhjen e rastit.

Sipas Ministrisë së Jashtme, Policia e Shtetit ka identifikuar dhe arrestuar punonjësin e kompanisë private të sigurisë që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke.

“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe arrestuar punonjësin e shoqërisë së sigurisë, përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht”, thuhet në reagim.

Ministria njofton gjithashtu se është nisur një hetim disiplinor për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale.

Tirana thekson se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe respektimi i shtetit të së drejtës mbeten parime themelore të institucioneve shqiptare.

Reagimi vjen pasi më herët Ministria e Jashtme e Greqisë shprehu shqetësim për incidentet në Zvërnec dhe kërkoi zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke konfirmuar se mes të plagosurve ndodhej edhe një shtetas grek.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, autoritetet shqiptare dhe ato greke kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm në nivele të ndryshme që prej momentit të incidentit.

“Autoritetet e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm lidhur me këtë çështje”, thuhet në deklaratë.

Në fund të reagimit, Tirana riafirmon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve me Greqinë, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, dialogut dhe vlerave të përbashkëta europiane.

Incidentet në Zvërnec ndodhën gjatë protestës kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, ku pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu