
Bankat kanë vijuar të tregohen të kujdesshme në financimin e bizneseve gjatë tremujorit të dytë të vitit, pavarësisht rritjes së kërkesës për kredi. Vlerësimi vjen nga vrojtimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi aktivitetin kreditues.
Sipas raportit, standardet e kreditimit mbetën pothuajse të pandryshuara për bizneset e mëdha dhe për kreditë që financojnë investimet apo nevojat për likuiditet, ndërsa u lehtësuan disi për bizneset e vogla dhe të mesme.
Banka e Shqipërisë vëren se lehtësimi është ndikuar nga kostot më të ulëta të financimit dhe konkurrenca mes bankave, ndërsa perceptimi për rrezikun ka vijuar të frenojë zgjerimin e kreditimit.
Edhe kushtet e përgjithshme të kredive të reja nuk pësuan ndryshime të rëndësishme, megjithëse bankat raportuan marzhe më të larta për kreditë me nivel më të lartë rreziku.
Nga ana tjetër, kërkesa e bizneseve për financim është rritur, e nxitur kryesisht nga investimet dhe nevojat për kapital qarkullues. Megjithatë, kjo nuk është reflektuar në një rritje të numrit të kredive të miratuara, pasi bankat raportojnë se shkalla e aprovimit ka mbetur e pandryshuar.
Sipas pritshmërive të sektorit bankar, standardet e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme pritet të lehtësohen edhe gjatë tremujorit të tretë, ndërsa për bizneset e mëdha nuk parashikohen ndryshime.






