
Pesë turistë nga Turqia janë dhunuar në ambientet e një resorti në Golem, pas një konflikti që dyshohet se nisi për shkak të zhurmës.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në një lokal në plazh, ku pas një debati mes pushuesve dhe stafit të resortit, situata degradoi në dhunë fizike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë menaxheri i resortit, D. K., 33 vjeç, dhe punonjësi i plazhit, E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se kanë goditur me sende të forta dy nga turistët.
Ndërkohë, Prokuroria nisi procedim penal në gjendje të lirë ndaj banakierit I. Sh., 48 vjeç, dhe punonjësit të sigurisë T. D., 49 vjeç. Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se kanë goditur dhe kanosur tre turistë të tjerë turq.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






