
Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se hodhi një koktej molotov në drejtim të efektivëve të policisë gjatë protestës së 28 Nëntorit në kryeqytet.
Sipas policisë, i riu me inicialet A. Q. kreu aktin pranë ish-hotel “Dajtit”, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë që ishin në shërbim.
Arrestimi u krye nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, në vijim të hetimeve për dokumentimin e akteve të dhunshme gjatë protestës.
Ndaj 18-vjeçarit janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për shtatë vepra penale:
* Vrasja e punonjësit të Policisë, mbetur në tentativë;
* Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse;
* Shkatërrimi i pronës;
* Goditja për shkak të detyrës;
* Prishja e qetësisë publike;
* Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik;
* Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme.
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuar dje në orën 18:00, nga përplasjet gjatë protestës u paraqitën në spitale 33 persona, mes tyre 10 efektivë policie, 13 protestues, 6 përfaqësues të medias, 3 kalimtarë dhe një punonjës sigurie. Ky bilanc përjashton numërimin e dyfishtë të dy policëve të transferuar nga Trauma në QSUT.






