Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po jep sinjale stabilizimi. Çmimet e banesave vijojnë të jenë më të larta se një vit më parë, por ritmi i rritjes është ngadalësuar ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Indeksi i çmimeve të banesave nuk ndryshoi krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, ndërsa në krahasim vjetor shënoi rritje me 10%. Diferenca është e fortë me vitin 2025, kur rritja vjetore kishte arritur 28% në gjashtëmujorin e dytë dhe 41,7% në gjashtëmujorin e parë.

Në Tiranë, çmimet janë rritur me 10% krahasuar me gjashtë muajt e mëparshëm dhe me 9% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një zhvillim i rëndësishëm është rritja e peshës së blerësve që nuk janë rezidentë në Shqipëri. Ata kanë realizuar rreth 20% të blerjeve të banesave gjatë gjysmës së parë të vitit. Rreth 85% e këtyre blerësve janë shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, shitja e një banese po kërkon më shumë kohë. Mesatarja në rang vendi është rritur nga 9,1 në 9,9 muaj, ndërsa në Tiranë nga 8,1 në 9,7 muaj. Tendenca është e kundërt në bregdet, ku koha mesatare e shitjes është shkurtuar nga 9,9 në 8,2 muaj.

Kredia bankare mbetet një nga motorët kryesorë të tregut. Rreth 58% e pronave të shitura nga subjektet e përfshira në vrojtim janë blerë me financim bankar. Në 34% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës.

Pavarësisht ngadalësimit të rritjes së çmimeve, numri i pronave të pashitura ka vijuar të bjerë, ndërsa pritshmëritë e agjentëve për ecurinë e tregut në periudhën e ardhshme mbeten pozitive.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu