Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, duke arrestuar një 41-vjeçar që ishte nisur i armatosur për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes së vëllait të tij.

Sipas Policisë, rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës në lagjen “Vasil Shanto”, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. F., 18 vjeç, dyshohet se ka plagosur me thikë shtetasin V. K., 32 vjeç. I plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë morën informacion se vëllai i të plagosurit, A. K., 41 vjeç, kishte marrë një armë zjarri pistoletë me fishek në fole dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar.

Efektivët ndërhynë në kohë, duke e lokalizuar dhe arrestuar 41-vjeçarin, i cili gjatë ndërhyrjes tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit. Pistoleta me municion luftarak u sekuestrua si provë materiale.

Ndërkohë, Policia vijon kontrollet për kapjen e 18-vjeçarit të dyshuar si autor i plagosjes me thikë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu