Ka nisur zbatimi i projektit “Smart City”, një investim i ri në fushën e sigurisë publike që do të përdorë Inteligjencën Artificiale dhe një sistem të integruar monitorimi për të parandaluar dhe menaxhuar rreziqet në kohë reale. Faza e parë përfshin 20 shkolla në Tiranë, të përzgjedhura sipas numrit të nxënësve, dendësisë së popullsisë dhe aktivitetit në zonat përreth.

Sistemi synon të rrisë sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe komunitetit, duke kaluar nga reagimi pas ngjarjes te parandalimi në kohë reale. Teknologjia do të mundësojë identifikimin e objekteve të rrezikshme, lokalizimin e personave në kërkim, gjurmimin e automjeteve të përfshira në veprimtari kriminale dhe monitorimin inteligjent të shkeljeve të ndryshme.

Në prezantimin e projektit, kryeministri Edi Rama tha se iniciativa është përgjigjja e qeverisë pas ngjarjes tragjike në shkollën “Fan Noli”.

“Sot ne kemi nisur pikërisht me zemrën e projektit, që është siguria në shkolla”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi se sistemi do të njoftojë menjëherë qendrat operative sapo të konstatojë një situatë të dyshimtë.

“Nëse një thikë del nga xhepi në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por dhe në rrugë, sistemi jep menjëherë informacion në qendrën e monitorimit”, u shpreh ai.

Rama shtoi se sistemi do ta bëjë pothuajse të pamundur fshehjen e automjeteve të përdorura në krime, ndërsa kamerat e trupit të efektivëve do të lidhen drejtpërdrejt me qendrën e monitorimit, duke rritur transparencën në veprimet e Policisë së Shtetit.

Sipas tij, synimi është që brenda 12 muajve projekti të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke krijuar një sistem inteligjent monitorimi për sigurinë publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu