
Një kallëzim penal me kërkesë për lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar nga INTERPOL-i do të dorëzohet këtë të premte në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj ministres serbe të Administratës Shtetërore, Snezhana Paunoviç.
Kallëzimi do të paraqitet nga avokati Gent Gjini, i cili kërkon hetimin e ministres serbe pas deklaratës së saj, ku ajo u shpreh se, nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1999, “do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
Sipas Gjinit, kallëzimi penal ngrihet mbi dyshimet për cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.
Avokati bëri të ditur se, krahas Prokurorisë Speciale, një kopje e kallëzimit do t’u dërgohet edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë, si dhe zyrave të Kombeve të Bashkuara.
Deklaratat e Paunoviç kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Kosova e ka shpallur ministren serbe “non grata”, ndërsa më shumë se 50 deputetë të Kuvendit të Serbisë kanë kërkuar shkarkimin e saj. Edhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, ka shprehur habi që ajo vazhdon të mbajë postin e ministres.






