
Përdorimi gjithnjë e më i madh i barnave për humbje peshe si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro po krijon një sfidë të re për industrinë e fustaneve të nusërisë. Dizajnerët dhe dyqanet raportojnë se shumë nuse po humbin dhjetëra kilogramë vetëm pak muaj para dasmës, duke bërë që fustanet e porositura të mos u përshtaten më.
Sipas një sondazhi të platformës Zola, rreth 10% e çifteve të fejuara përdorin barna të grupit GLP-1, ndërsa 42% pranojnë se ndihen nën presion për të pasur një trup “perfekt” ditën e dasmës.
Shumë sallone nusërie kanë nisur t’u bëjnë klienteve një pyetje që deri pak vite më parë nuk ekzistonte: “A planifikoni të humbni shumë peshë?”
Kompania amerikane David’s Bridal ka krijuar madje një garanci që siguron zëvendësimin e fustanit nëse nusja ndryshon ndjeshëm në peshë deri në ditën e ceremonisë. Ndërkohë, stilistët e vegjël nuk mund ta përballojnë financiarisht një praktikë të tillë dhe kanë filluar të përfshijnë klauzola të reja në kontrata, ku klientet paralajmërohen se mund të detyrohen të blejnë një fustan të ri nëse humbin shumë peshë.
Edhe rrobaqepësit konfirmojnë se ndryshimet janë të papreçedenta. Në disa raste, fustanet janë ngushtuar me më shumë se 50 centimetra, ndërsa kostot e ndërhyrjeve arrijnë deri në 1.500 dollarë.
Ekspertët thonë se fenomeni po ndryshon edhe trendet e modës së nusërisë, me rikthimin e fustaneve me lidhëse në pjesën e pasme, të cilat përshtaten më lehtë me ndryshimet e trupit.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se presioni estetik ndaj nuseve po rritet ndjeshëm. Krahas barnave për dobësim, po shtohen edhe ndërhyrjet estetike për lëkurën e tepërt apo zmadhimin e gjoksit pas humbjes së shpejtë të peshës.






