Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është distancuar nga deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kishte kryer “spastrim etnik” në Kosovë. Megjithatë, ai nuk ka kërkuar shkarkimin e saj.

Duke folur nga Kievi, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore-Ukraina, Vuçiq e cilësoi deklaratën e Paunoviqit si “të pamenduar dhe të papërgjegjshme”, por theksoi se ajo nuk përfaqëson politikën e tij apo të Qeverisë së Serbisë.

“Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Politika jonë është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik”, u shpreh Vuçiq.

Deklarata e ministres serbe shkaktoi reagime të forta në Kosovë. Më 14 korrik, autoritetet në Prishtinë e shpallën Snezhana Paunoviqin person të padëshiruar, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Kosovës.

Në intervistën që ndezi polemikat, Paunoviq kishte deklaruar se, nëse do të ishte në vend të Millosheviqit gjatë luftës së viteve 1998-1999, do të kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, duke pretenduar se shqiptarët duhej të largoheshin drejt “shtetit të tyre amë”.

Qeveria e Kosovës reagoi duke theksuar se deklarata dëshmon se Serbia nuk është distancuar kurrë nga politikat e regjimit të Millosheviqit, ndërsa u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë ta kenë parasysh këtë në raportet me Beogradin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu