
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se po pezullon të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas nisjes së një iniciative brenda partisë për shkarkimin e tij.
Në një deklaratë publike, Abdixhiku tha se zhvillimet e fundit e detyrojnë të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, u shpreh ai.
Sipas kreut të LDK-së, nuk do të ishte serioze dhe e përgjegjshme të negocionte në emër të partisë, ndërkohë që mandati i tij si kryetar është vënë në pikëpyetje nga vetë strukturat e subjektit.
“Në këto rrethana nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për ta udhëhequr është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, deklaroi Abdixhiku.
Vendimi i tij pritet të ndikojë në përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, në një kohë kur negociatat politike mbeten të hapura.






