
Një ndryshim i ri ligjor në Ekuador u lejon tashmë kafshëve shtëpiake të marrin pjesë si dëshmitare simbolike në ceremonitë civile të martesës.
Ceremonia e parë u zhvillua në kryeqytetin Kuito, ku qeni Luna u bë pjesë e dasmës së çiftit Diana Tupiza dhe Andres Alquinga. E veshur me një fustan të krijuar posaçërisht për ceremoninë, Luna “firmosi” certifikatën simbolike të martesës duke lënë gjurmën e putrës së saj.
Çifti tha se donte që kafsha e tyre, të cilën e konsiderojnë pjesë të familjes, të ishte pjesë e një prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tyre.
“Ne mund të përfshijmë të gjithë anëtarët e familjes, edhe ata që nuk flasin, por na japin gjithë dashurinë e tyre,” u shpreh dhëndri Andres Alquinga.
Edhe nusja Diana Tupiza tha se ceremonia ishte edhe më emocionuese falë pranisë së Lunës.
“Unë i dua shumë kafshët dhe është e mrekullueshme që ato përfaqësohen në një ditë kaq të rëndësishme,” tha ajo.
Sipas Drejtorit të Regjistrit Civil të Ekuadorit, Otton Rivadeneira, ndryshimi është bërë për t’iu përshtatur nevojave të reja të qytetarëve.
“Po përshtatemi me kohët moderne dhe me kërkesat e shoqërisë,” deklaroi ai.
Edhe pse kafshët nuk kanë rol ligjor në procesin e martesës, ato mund të marrin pjesë si dëshmitare simbolike, një nismë që ka ngjallur interes të madh në rrjetet sociale dhe tek dashamirësit e kafshëve.






