
Mafia shqiptare përmendet si një nga hallkat kryesore të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të kokainës në një reportazh të BBC-së mbi luftën kundër krimit të organizuar në Ekuador, një vend që është shndërruar në pikën kryesore të daljes së drogës drejt Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, rreth 70% e kokainës që mbërrin në Europë dhe SHBA kalon përmes porteve të Ekuadorit. Në këtë zinxhir, bandat vendase bashkëpunojnë ngushtë me kartelet meksikane dhe grupet e mafias shqiptare, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në kontrabandimin e drogës.

Reportazhi sjell dëshmitë e drejtuesve të policisë në qytetin Durán, një nga zonat më të rrezikshme të vendit, ku përplasjet mes bandave janë të përditshme. Kapiteni Jean Carlos Bustamante pranon se, përveç grupeve kriminale, policia përballet edhe me korrupsion të thellë brenda institucioneve.
“Ka shumë njerëz të korruptuar në polici, në shtet dhe në politikë. Ata paguhen nga bandat”, thotë ai.
Sipas oficerëve të policisë, grupet kriminale disponojnë më shumë para dhe armë sesa vetë shteti, ndërsa korrupsioni u mundëson të shmangin operacionet policore dhe të blejnë informacion nga zyrtarë të korruptuar.

Reportazhi përshkruan gjithashtu fuqinë e bandave në terren, ku trafikantët lëvizin të armatosur në mes të ditës dhe pranojnë hapur se kontrollojnë territorin. Një prej drejtuesve të një bande kriminale deklaron se paguan rregullisht efektivë policie për t’u njoftuar para çdo operacioni.
Ekuadori, dikur një nga vendet më të qeta të Amerikës së Jugut, është shndërruar në një nga zonat me nivelin më të lartë të vrasjeve në botë. Vetëm gjatë vitit 2025 u regjistruan mbi 9 mijë vrasje të dhunshme, ndërsa provinca Guayas, ku ndodhet edhe qyteti Durán, mbetet epiqendra e konfliktit mes grupeve kriminale.






