Një alarm i paprecedentë për sigurinë kibernetike ka detyruar institucione qeveritare dhe organizata në disa vende të botës të mbyllin përkohësisht faqet e tyre të internetit. Shkak janë dy dobësi kritike të zbuluara në gjuhën e programimit PHP, e cila përdoret nga një pjesë e madhe e faqeve në internet, përfshirë platformat WordPress, Drupal dhe Joomla. Dobësitë u identifikuan me ndihmën e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga OpenAI.

Sipas BBC, autoritetet e sigurisë kibernetike në Europë, Britani, Japoni dhe Australi kanë lëshuar paralajmërime urgjente, duke u kërkuar institucioneve dhe kompanive të instalojnë menjëherë përditësimet e sigurisë.

Për organizatat që nuk mund t’i kryejnë përditësimet në kohë, ekspertët rekomandojnë mbylljen e përkohshme të sistemeve të prekura.

Finlanda mbyll shërbimet qeveritare, probleme edhe në BBC

Qeveria finlandeze ka ndërprerë përkohësisht shërbimet e saj publike në internet si masë parandaluese.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Holandës njoftoi gjithashtu mbylljen e faqes së saj, ndërsa të paarritshme janë bërë edhe faqet e disa institucioneve të tjera holandeze, përfshirë Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Në Britani, faqja e Këshillit Bashkiak të Edinburgut dhe disa faqe të programeve të BBC-së, mes tyre Doctor Who dhe The Traitors, kanë rezultuar jashtë funksionit.

Megjithatë, për disa prej këtyre ndërprerjeve nuk është konfirmuar ende një lidhje e drejtpërdrejtë me dobësitë e PHP-së.

Inteligjenca artificiale zbuloi probleme të fshehura prej më shumë se një dekade

Dy dobësitë u zbuluan nga studiuesit e sigurisë kibernetike të kompanive Calif dhe Wiz, të cilët përdorën modele të avancuara të inteligjencës artificiale të OpenAI.

Sipas kompanive, problemet kishin mbetur të pazbuluara për më shumë se dhjetë vjet.

Wiz i cilësoi ato ndër dobësitë më serioze të sigurisë të zbuluara ndonjëherë me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Kompania vlerëson se mund të preket rreth 70% e internetit, por BBC thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë shifër.

OpenAI e përshkroi zbulimin si një nga zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë kibernetike të viteve të fundit.

Hakerat mund të marrin kontrollin e faqeve

Sipas ekipit të reagimit ndaj incidenteve kibernetike të Bashkimit Europian, CERT-EU, dobësitë mund të krijojnë mundësinë e ekzekutimit të kodit në distancë pa autentikim.

Në praktikë, kjo mund t’u lejojë sulmuesve të instalojnë programe keqdashëse, të ndërhyjnë në funksionimin e serverëve ose të nxjerrin faqe interneti jashtë funksionit.

Kompania Cloudflare ka raportuar se po vëren shfaqjen e sulmeve të para që synojnë shfrytëzimin e këtyre dobësive.

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku nuk kufizohet vetëm te faqet e dukshme për publikun, pasi PHP përdoret edhe në sisteme të administrimit, platforma hostimi dhe shërbime të tjera.

Çfarë duhet të bëjnë pronarët e faqeve WordPress?

PHP është një nga teknologjitë bazë mbi të cilat funksionojnë miliona faqe interneti, përfshirë ato të ndërtuara me WordPress, Drupal, Joomla dhe Magento.

Fondacioni PHP ka publikuar përditësime sigurie për versionet më të fundit.

Organizatat që përdorin PHP 8.1 ose versione më të vjetra janë këshilluar të kalojnë në versione të mbështetura dhe të përditësuara.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu kontrollin e serverëve për shenja të ndërhyrjeve të mëparshme dhe monitorimin e vazhdueshëm të njoftimeve nga ofruesit e programeve dhe shërbimeve.

Shtëpia e Bardhë reagon ndaj alarmit

Shtëpia e Bardhë njoftoi se agjencitë federale amerikane po vlerësojnë ndikimin e mundshëm në sistemet qeveritare dhe infrastrukturën kritike.

Administrata amerikane po bashkëpunon me laboratorë kryesorë të inteligjencës artificiale për të përshpejtuar zgjidhjen e problemeve.

Edhe kryeministrja japoneze Sanae Takaichi u bëri thirrje institucioneve dhe bizneseve të kontrollojnë nëse faqet e tyre publike përdorin PHP.

Sipas BBC, ende nuk është përcaktuar përfundimisht lista e plotë e versioneve të prekura, ndërsa CERT-EU paralajmëron se rreziku mund të shtrihet edhe te versione të vjetra të gjuhës së programimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu