Izraelitët u janë drejtuar këtë të martë, më 27 tetor, kutive të votimit në një nga zgjedhjet më të rëndësishme dhe më të paparashikueshme të viteve të fundit. Pas tre vitesh luftërash dhe përplasjesh politike, kryeministri Benjamin Netanyahu kërkon të ruajë pushtetin, ndërsa një opozitë e përbërë nga forca të ndryshme politike përpiqet t’i japë fund qeverisjes së tij.

Sipas një analize të televizionit amerikan CBS News, sondazhet tregojnë një garë tepër të ngushtë, ku asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk e ka të garantuar shumicën prej 61 deputetësh në Parlamentin izraelit, Knesset, që përbëhet nga 120 vende.

Kjo do të thotë se edhe pas mbylljes së kutive të votimit, Izraeli mund të përballet me negociata të gjata për krijimin e qeverisë, një kabinet pakice apo, në rast bllokimi politik, zgjedhje të reja.

Zgjedhjet janë të parat që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ngjarje që tronditi Izraelin dhe u pasua nga lufta në Gaza dhe përshkallëzimi i konflikteve në rajon.

Siguria kombëtare, përgjegjësitë për dështimet e 7 tetorit, luftërat në Lindjen e Mesme dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak janë ndër çështjet kryesore që ndajnë forcat politike.

Netanyahu, udhëheqësi më jetëgjatë në historinë politike të Izraelit, kërkon të formojë një tjetër qeveri të mbështetur te partia Likud dhe aleatët e saj nacionalistë e fetarë.

Ai e ka përqendruar fushatën te siguria dhe kërcënimi nga Irani, duke argumentuar se vetëm ai mund të garantojë vijimin e politikës së tij të mbrojtjes dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Në mbështetje të tij është rreshtuar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar shprehu publikisht përkrahjen për Netanyahun dhe lidhi vijimin e angazhimit amerikan ndaj Iranit me rezultatin politik në Izrael.

Në krahun tjetër, figura kryesore e bllokut që kërkon ndryshimin e qeverisë është ish-shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, drejtues i partisë së qendrës Yashar.

Eisenkot, i cili humbi djalin dhe dy nipër gjatë luftës në Gaza, premton një hetim shtetëror për dështimet e sigurisë që i paraprinë sulmit të 7 tetorit dhe një qeverisje që, sipas tij, do të ulë përçarjet në shoqërinë izraelite.

Por kundërshtarët e Netanyahut nuk përfaqësojnë një bllok politik homogjen. Mes tyre ka parti të djathta, të qendrës, të majta dhe arabe, me dallime të thella mbi sigurinë, konfliktin palestinez dhe politikat e brendshme.

Pikërisht këtu qëndron edhe një nga enigmat e zgjedhjeve: edhe nëse partitë kundër Netanyahut sigurojnë së bashku më shumë mandate, ato mund të hasin vështirësi për të formuar një koalicion qeverisës.

Një rol të rëndësishëm mund të luajë pjesëmarrja e qytetarëve arabë të Izraelit, të cilët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë.

Një dalje më e lartë e këtij komuniteti në votime mund të ndryshojë ndjeshëm shpërndarjen e mandateve, ndërsa partitë arabe mund të ndikojnë në krijimin ose mbështetjen parlamentare të një qeverie alternative.

Megjithatë, disa prej forcave kryesore të opozitës kanë përjashtuar deri tani mundësinë e një koalicioni formal me partitë arabe, çka e bën edhe më të ndërlikuar formimin e një shumice.

Një tjetër çështje që mund të përcaktojë rezultatin është shërbimi i detyrueshëm ushtarak për hebrenjtë ultraortodoksë.

Përjashtimet nga shërbimi ushtarak kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha në shoqërinë izraelite, veçanërisht pas viteve të luftës. Disa parti kërkojnë t’u japin fund këtyre përjashtimeve, duke sfiduar njëkohësisht aleancat tradicionale të Netanyahut me partitë fetare.

Në garë janë edhe subjekte të reja politike që, sipas sondazheve, ndodhen pranë pragut elektoral. Hyrja ose jo e tyre në Parlament mund të ndryshojë ndjeshëm llogaritë për krijimin e shumicës.

Izraeli e ka përjetuar më parë një situatë të ngjashme. Mes viteve 2019 dhe 2022, vendi zhvilloi pesë palë zgjedhje, si pasojë e pamundësisë së partive për të formuar qeveri të qëndrueshme.

Për këtë arsye, zgjedhjet e 27 tetorit nuk do të përcaktojnë vetëm numrin e mandateve të secilës parti, por do të hapin edhe betejën për aleancat që mund të përcaktojnë qeverinë e ardhshme.

Rezultatet e votimit ende nuk janë shpallur. Sondazhet e fundit nuk përcaktojnë një fitues të sigurt dhe formimi i qeverisë do të varet nga numri i mandateve dhe marrëveshjet mes partive.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu