
Shqipëria ka mbyllur zyrtarisht tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian, në përfundim të Konferencës së 9-të Ndërqeveritare të zhvilluar në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një “gur kilometrik” në procesin e integrimit europian, duke theksuar se ai përfaqëson një vlerësim të qartë të progresit të bërë nga vendi.
“Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, reformat po japin rezultate dhe vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit”, deklaroi Rama.
View this post on Instagram
Tre kapitujt e mbyllur janë:
- Kapitulli 25 – Kërkimi shkencor;
- Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura;
- Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me jashtë.
Kryeministri tha se procesi i zgjerimit po ecën sipas kalendarit të dakordësuar me Komisionin Europian dhe nuk sheh arsye për ngadalësim të tij.
“Nuk kemi asnjë arsye të besojmë se procesi i zgjerimit mund të frenojë. Atmosfera është pozitive dhe të gjithë janë të prirur të ecin përpara”, u shpreh ai.
Nga ana e saj, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi ditën si “një super të martë për zgjerimin”, duke përgëzuar Shqipërinë për progresin e arritur.
“Ne mbështetemi te Shqipëria për të vazhduar reformat. Do të jem krah Shqipërisë deri në fund të mandatit tim”, deklaroi Kos.
Gjatë konferencës, Rama njoftoi gjithashtu se qeveria do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike dhe, në bashkëpunim me Komisionin Europian, po harton një ligj të ri në përputhje me standardet e BE-së.
Lidhur me projektin e Zvërnecit, kryeministri tha se Komisioni Europian është i mirëinformuar dhe se projekti do të realizohet vetëm sipas standardeve më të larta mjedisore.
Ndërkohë, Marta Kos bëri të ditur se Shqipëria kishte rënë dakord me Komisionin Europian, edhe para protestave, për të rishikuar ndryshimet e vitit 2024 që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, në kuadër të harmonizimit të legjislacionit me acquis të BE-së.
Me mbylljen e këtyre tre kapitujve, Shqipërisë i mbeten edhe 30 kapituj negociues, ndërsa objektivi i qeverisë mbetet përfundimi i negociatave teknike deri në fund të vitit 2027.






