Biznesmeni shqiptaro-amerikan Artur Shehu, i cili shiti tokën ku planifikohet ndërtimi i resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner në Zvërnec, dyshohet nga SPAK se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokës dhe ka pastruar para të përfituara nga trafiku i drogës. Këto janë gjetjet e një hetimi të publikuar nga Reuters, bazuar në dokumente të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas dokumenteve të cituara nga Reuters, prokurorët shqiptarë kanë krijuar dyshime të arsyeshme se toka është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara të pronësisë. SPAK pretendon gjithashtu se Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve europiane dhe kanë pastruar paratë duke ndërtuar një perandori në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në prill të këtij viti, Shehu shiti tokën tek kompania Albania Land Development, e cila është pjesë e projektit të zhvilluar nga Sazan Real Estate Development, kompani e mbështetur nga Jared Kushner dhe investitorë të tjerë. Sipas Reuters, dokumentet e SPAK nuk përmbajnë asnjë pretendim për shkelje nga Kushner, kompanitë zhvilluese apo investitorët e projektit, ndërsa nuk ka indicie se ata kishin dijeni për dyshimet ndaj Shehut në momentin e blerjes.

SPAK ka urdhëruar ngrirjen e rreth 110 milionë eurove, vlera e shitjes së tokës, të depozituara në llogarinë e një noteri, duke bllokuar transferimin e tyre tek Shehu.

Avokati i Artur Shehut, Kujtim Cakrani, ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se klienti i tij nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh. Sipas tij, familja Shehu e zotëron tokën që nga periudha osmane dhe shitja është kryer në mënyrë të ligjshme.

Projekti shumë miliardë dollarësh në Zvërnec është përballur prej javësh me protesta nga banorë dhe aktivistë mjedisorë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Banorët pretendojnë se janë pronarët e ligjshëm të tokës dhe kanë çështje të hapura gjyqësore për pronësinë.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se nuk ndërhyn në transaksione private dhe se projekti do të vijojë në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian, ndërsa zhvilluesit e projektit kanë theksuar se besojnë se blerja e tokës është kryer në mënyrë të ligjshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu