Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të dorëzojë një tjetër kallëzim në SPAK lidhur me atë që ai e quan “Libri i Kuq” ose “Dosja Shqiptare”, duke e cilësuar atë si “dosjen më kriminale në 35 vitet e fundit”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha përshëndeti protestuesit që, sipas tij, e kanë dërguar këtë dosje në Prokurorinë e Posaçme.

“Përshëndes dërgimin e tij në SPAK nga përfaqësues të protestës. I garantoj se PD po e studion dhe do të paraqesë aktpadinë tjetër po për këtë libër në SPAK. Kjo për ne konsiderohet dosja më kriminale”, u shpreh Berisha.

Ai pretendoi se në këtë dosje përfshihen edhe raste të grabitjes së pronave, duke përmendur kanionin e Gjipesë dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërtim në një zonë të mbrojtur.

Sipas Berishës, “Libri i Kuq”, të cilit ai i referohet edhe si “Albanian Files” apo “Dosja Shqiptare”, përbën “akuzën më të rëndë” ndaj kryeministrit Rama.

“Libri i kuq ‘Dosja Shqiptare’ është akuza më e rëndë ndaj një kryeministri. Ai fakton se Edi Rama e konsideron Shqipërinë çifligun e tij dhe ua ka dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës dhe organizatave kriminale”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se po lejon, sipas tij, shpopullimin e zonave bregdetare, duke pretenduar se banorët po detyrohen të shesin pronat e tyre nën presionin e grupeve kriminale.

“Ju i keni parë se si në jug, banorët në brigjet e vendit po shpërngulen, po emigrojnë dhe po largohen nga kriminelë trafikantë që u shkojnë me thasë me para, ua blejnë tokat dhe i largojnë nga trojet e tyre”, tha Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu