Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ka reaguar ndaj një postimi të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke ekspozuar shpërndarjen e një lajmi të rremë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ismaili shkruan se videoja e publikuar nga Berisha, ku shihen fermerë duke derdhur qumësht në shenjë proteste, nuk është filmuar në Shqipëri, por në Kosovë.

“FAKE NEWS! Kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë! Mirëpo madhështorët në dështime fushatash elektorale dhe madhështorët me keqdashjen e vazhdueshme për të shkatërruar këtë vend, nxjerrin një postim duke dezinformuar qytetarët”, shkruan Ismaili.

Më tej, ajo shprehet se opozita duhet të angazhohet për promovimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për fermerët, blegtorët dhe bletërritësit, duke theksuar se kjo është një nga mbështetjet më të mëdha që qeveria shqiptare u ka dhënë sektorëve të bujqësisë.

“Nëse do ta kishit këtë angazhim edhe për të promovuar Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët, blegtorët dhe bletërritësit… Por lulëzimi i bujqësisë nuk të leverdis ty”, shkruan ministrja.

Reagimi i Ismailit vjen pasi kreu i PD publikoi një video duke pretenduar se fermerët po derdhnin qumësht para Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri, ndërsa ministrja deklaron se pamjet janë nga një protestë e zhvilluar në Kosovë ku prej disa ditësh është bllokuar grumbullimi i qumështit dhe kjo ka nxitur zemërimin e fermerëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu