Kryeministri Edi Rama udhëton këtë të martë drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në kryeqytetin turk. Në samit marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, së bashku me partnerë dhe organizata ndërkombëtare.

Mikpritës i samitit është presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili sipas agjendës do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderët pjesëmarrës, mes tyre edhe me kryeministrin shqiptar. Në Ankara ndodhet edhe presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa një nga takimet më të rëndësishme pritet të jetë ai mes Trump dhe Erdoğan.

Në axhendën e samitit dominojnë çështjet e forcimit të mbrojtjes kolektive, rritja e investimeve ushtarake nga vendet anëtare, mbështetja për Ukrainën, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe sfidat e sigurisë në hapësirën euroatlantike. Aleatët pritet të diskutojnë gjithashtu për përshtatjen e NATO-s me kërcënimet e reja dhe ruajtjen e unitetit të Aleancës në një periudhë tensionesh të larta ndërkombëtare.

Mbrëmjen e 7 korrikut, Erdoğan dhe bashkëshortja e tij do të shtrojnë një darkë zyrtare për liderët pjesëmarrës, ndërsa më 8 korrik samiti do të vijojë me seancën plenare dhe foton tradicionale familjare të krerëve të shteteve dhe qeverive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu