Belgjika ka prerë biletën për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara me rezultatin 4-1 në ndeshjen e zhvilluar në Seattle.

Heroi i takimit ishte Charles De Ketelaere, i cili realizoi dy gola dhe udhëhoqi belgët drejt një fitoreje të merituar. Sulmuesi zhbllokoi sfidën që në minutën e 9-të, ndërsa shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 33-të, vetëm dy minuta pasi amerikanët kishin barazuar.

SHBA-ja riktheu përkohësisht ekuilibrin në minutën e 31-të me Malik Tillman, kur goditja e tij nga dënimi u devijua dhe përfundoi në rrjetë. Megjithatë, Belgjika reagoi menjëherë dhe mori sërish avantazhin para pushimit.

Në pjesën e dytë, një gabim i portierit amerikan Matt Freese u shfrytëzua nga belgët, me Hans Vanaken që realizoi golin e tretë në minutën e 57-të. Në kohën shtesë, Romelu Lukaku vulosi rezultatin 4-1 me një goditje të saktë nga një kënd i ngushtë.

Fitorja dërgon Belgjikën në çerekfinale, ku do të përballet me Spanjën, kampionen në fuqi të Europës, e cila eliminoi Portugalinë me rezultatin 1-0.

Për Shtetet e Bashkuara, aventura në Botëror përfundon në fazën e 1/8-ave. Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino nuk arriti të përsërisë suksesin e vitit 2002, kur kishte prekur çerekfinalet, ndërsa kjo është hera e katërt në pesë Botërorët e fundit që eliminohet në këtë fazë.

Ndeshja u parapri edhe nga polemika, pasi sulmuesi Folarin Balogun u lejua të luante pas pezullimit të përkohshëm të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar, një vendim që shkaktoi debat të gjerë. Megjithatë, ai nuk arriti të ndikojë në rezultat, duke u neutralizuar nga mbrojtja belge dhe portieri Thibaut Courtois.

Belgjika konfirmon kështu formën e saj të mirë dhe për të tretën herë në katër Botërorët e fundit arrin të paktën në fazën çerekfinale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu