
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi SPAK-un për zbatim të standardeve të dyfishta në çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas deklaratave të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho.
Bardhi tha se vetë drejtuesi i SPAK pranoi se mungesa e një mase sigurimi e vështirëson hetimin, ndaj, sipas tij, Prokuroria duhet t’i drejtohet Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut.
“Një prokuror i pavarur nuk bën politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit dhe nuk bëhet pjesë e makinacioneve politike. Një prokuror i mirë zbaton ligjin”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, SPAK ka ndryshuar standardin që kishte vendosur në dhjetor 2025, kur kishte deklaruar se me rëndimin e pozitës penale duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit.
Bardhi ngriti disa pyetje publike për Prokurorinë e Posaçme, duke kërkuar të dijë pse nuk është kërkuar heqja e imunitetit të Ballukut, kush po pengon zbatimin e ligjit dhe nëse ka pasur ndërhyrje politike për shtyrjen e veprimeve ndaj saj.
Në fund të reagimit, kreu i grupit parlamentar të PD-së paralajmëroi se SPAK nuk duhet të presë “deri sa të arratiset Belinda Balluku dhe më pas të lajë duart si Ponc Pilati”.






