Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, deklaroi se imuniteti i deputetëve vështirëson zhvillimin e hetimeve penale, ndërsa theksoi se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të kenë pavarësi të plotë operacionale për të kryer misionin e tyre.

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Braho u shpreh se, sipas mendimit të tij personal, deputetët nuk duhet të gëzojnë imunitet përballë ligjit.

“Imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase sigurimi e vështirëson dhe e dëmton hetimin. Personalisht mendoj se nuk duhet të kishte fare imunitet”, deklaroi Braho.

I pyetur për rastin e deputetes Belinda Balluku, kreu i SPAK tha se hetimet kanë vijuar edhe pas rrëzimit të kërkesës nga Kuvendi dhe se vendimmarrja do të mbështetet vetëm në ligj dhe prova.

Braho foli edhe për marrëdhëniet me Policinë e Shtetit, duke e cilësuar atë partnerin kryesor të SPAK, por theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit ka kompetenca ligjore për të kryer edhe arrestime.

“Policia e Shtetit është partneri ynë i pazëvendësueshëm. Nuk mund ta zëvendësojmë, por BKH ka të drejtë ligjore të kryejë veprime procedurale, përfshirë arrestimet. SPAK duhet të ketë pavarësi procedurale dhe operacionale, pa qenë i varur nga institucione të tjera”, u shpreh ai.

Sipas Brahos, mungesa e një infrastrukture të dedikuar operacionale mbetet një nga pengesat për funksionimin e plotë të SPAK, ndërsa shtoi se modeli i kërkuar ndiqet edhe nga institucionet homologe me të cilat Prokuroria e Posaçme bashkëpunon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu