
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kërkuar ndjesë publike për raportimin e pasaktë të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë lidhur me incidentin gjatë protestës së zhvilluar në zonën e Pishë Poro-Nartës.
Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit pranoi se qytetari i përfshirë në incident nuk ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, siç ishte deklaruar më herët nga policia lokale.
Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
View this post on Instagram
“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagimin zyrtar.
Megjithatë, Policia thekson se pjesa tjetër e komunikatës së publikuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë konsiderohet e saktë.
Lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesit për zonën ku po zhvillohet projekti turistik, Policia e Shtetit deklaron se territori i rrethuar rezulton të jetë pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet ligjore përkatëse për rrethimin.
Në deklaratë, institucioni u bën thirrje qytetarëve që kundërshtojnë projektin që pretendimet e tyre t’i adresojnë në rrugë gjyqësore.
“Çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj adresohet në Gjykatë”, thekson Policia e Shtetit.
Më tej, Policia nënvizon se ka detyrimin ligjor për të garantuar mbrojtjen e çdo prone private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor.
Reagimi vjen pas protestës së zhvilluar në Zvërnec, ku pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private, si dhe akuza për përdorim force ndaj një qytetari që u transportua më pas për ndihmë mjekësore.
BIRN: Kush fshihet pas resortit të familjes Trump në Shqipëri






