
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, sëbashku me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, zhvilluan një takim me prindër të nxënësve dhe fëmijëve të kopshteve në Valias, ku u diskutua mbi investimet në arsim dhe transformimin e infrastrukturës arsimore në Kamëz gjatë viteve të fundit.
Gjatë bashkëbisedimit, Balla vlerësoi punën e bërë nga Bashkia Kamëz në drejtim të ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave, kopshteve dhe çerdheve sipas standardeve europiane, duke theksuar se investimi në arsim mbetet investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë.
“Investimi në arsim është investimi më i mirë për shoqërinë. Fakt është që nëse para 7 vitesh nuk flitej për kopshte dhe për çerdhe, sot Kamza ka 5700 fëmijë në kopshte dhe çerdhe, një nga numrat më të lartë në Shqipëri pas Tiranës. Madje, është e vetmja bashki ku nuk ka nevojë të ketë kopshte apo çerdhe private, sepse këto të bashkisë janë shumë më të mira se ato private”, u shpreh Balla.
Balla theksoi se Bashkia Kamëz po konsolidohet si një nga bashkitë me rezultatet më të mira në vend sa i përket cilësisë së infrastrukturës shkollore, ndërsa falënderoi stafin pedagogjik për punën e bërë gjatë vitit shkollor.






