Një studim i ri i publikuar nga studiues të Universitetit të Nju Jorkut ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin real të barnave të famshme për dobësim si Ozempic dhe semaglutide të tjera, duke treguar se kirurgjia bariatrike mund të japë rezultate shumë më të larta në humbjen e peshës.

Sipas kërkimit, pacientët që iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale si “sleeve gastrectomy” ose bypass gastrik humbën mesatarisht 25.7% të peshës trupore brenda dy viteve, ndërsa ata që përdorën barna GLP-1 si Ozempic apo tirzepatide humbën vetëm 5.3%.

Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të pacientëve duke krahasuar moshën, indeksin e masës trupore dhe nivelin e sheqerit në gjak. Sipas tyre, një nga arsyet kryesore të diferencës është fakti që shumë pacientë ndërpresin trajtimin me barna brenda vitit të parë, ndërsa kirurgjia ka efekt të përhershëm.

“Studimet klinike tregojnë humbje peshe nga 15 deri në 21% për barnat GLP-1, por rezultatet në jetën reale janë dukshëm më të ulëta”, deklaroi Avery Brown, kirurg rezident në NYU.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se Ozempic dhe barnat e ngjashme mbeten shumë të rëndësishme për trajtimin e diabetit të tipit 2, pasi ndihmojnë në uljen e sheqerit në gjak dhe reduktojnë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare e disa forma kanceri.

Nga ana tjetër, kirurgjia bariatrike nuk konsiderohet zgjidhje magjike. Procedurat janë invazive, të përhershme dhe kërkojnë disiplinë të fortë në dietë dhe aktivitet fizik pas operacionit.

Studimi u prezantua në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Kirurgjinë Metabolike dhe Bariatrike (ASMBS)./sciencealert

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu