
Një buall i rrallë albino në Bangladesh, i quajtur “Donald Trump”, është shpëtuar nga therja për festën e Kurban Bajramit pasi u bë viral në rrjetet sociale për ngjashmërinë me presidentin amerikan.
Kafsha, që peshon rreth 680 kilogramë, kishte tërhequr vëmendje të madhe për tufën e flokëve biondë mbi kokë, të cilat shumë njerëz i krahasuan me modelin karakteristik të flokëve të Donald Trump.
Bualli ishte planifikuar të therrej si pjesë e ritualeve të Eid al-Adha, por autoritetet në Bangladesh ndërhynë pas famës së madhe që mori në internet dhe fluksit të vizitorëve në fermën ku mbahej pranë kryeqytetit Daka.
Pronari i tij, fermeri Ziauddin Mridha, tha se emri ishte vendosur nga vëllai i tij “për shkak të flokëve” dhe se nuk kishte qëllim politik.
“Shumë njerëz vinin vetëm për ta parë. Është një kafshë shumë e qetë dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm”, tha ai për mediat lokale.
Sipas Reuters dhe NBC News, ministri i Brendshëm i Bangladeshit urdhëroi që bualli të mos therrej për arsye sigurie dhe interesit të pazakontë publik. Blerësit do t’u kthehen paratë, ndërsa kafsha do të transferohet në kopshtin zoologjik kombëtar në Daka.
Ngjarja ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare dhe është kthyer në një nga historitë më të komentuara të Kurban Bajramit këtë vit.
Një tjetër kuriozitet është se nuk është hera e parë që njerëzit shohin ngjashmëri të Donald Trump me kafshë të ndryshme. Më herët në rrjet janë bërë virale edhe një fazan në Kinë dhe një peshk i rrallë në Angli që ngjanin me presidentin amerikan.



