Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit, me një tubim të madh në Prishtinë ku kandidatja presidenciale Vjosa Osmani bëri thirrje për bashkim dhe rikthim te vlerat rugoviane.

Para mijëra mbështetësve dhe qytetarëve që e ndoqën nga diaspora, Osmani e ndërtoi fjalimin e saj mbi mesazhin e unitetit, duke theksuar se zgjedhjet nuk janë thjesht një garë partiake, por një moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës.

“Kjo nuk është thirrje për një parti. Është thirrje për Kosovën”, deklaroi ajo.

Osmani kritikoi politikën e përçarjes dhe konfliktit, duke theksuar se qytetarët janë lodhur nga polarizimi dhe se vendi ka nevojë për një vizion të ri zhvillimi dhe bashkëpunimi.

Sipas saj, zgjedhjet e 7 qershorit përfaqësojnë një zgjedhje mes dy vizioneve të ndryshme për shtetin, ndërsa nënvizoi se Rugovizmi mbetet një model aktual dhe modern për të ardhmen e Kosovës.

“Rugovizmi nuk është relikt i së kaluarës. Është ideja më moderne që ka njohur politika shqiptare”, u shpreh Osmani.

Në fjalën e saj, ajo vuri theksin edhe te partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrimi euroatlantik, duke premtuar një Kosovë të bazuar te institucionet dhe shteti i së drejtës.

Salla ishte e mbushur me flamuj të Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa reagimet më të forta erdhën kur Osmani foli për të rinjtë, diasporën dhe fenomenin e emigrimit.

“Më shumë po ëndërrohet aeroporti sesa e ardhmja në Kosovë. Kjo duhet të ndryshojë. Më 7 qershor, bashkë fitojmë përsëri”, tha ajo.

Me këtë tubim, LDK-ja ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale, duke vendosur në qendër të mesazhit të saj bashkimin, zhvillimin dhe rikthimin te vlerat e trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu