Në aktivitetin e organizuar për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Korçë, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, vlerësoi rrugëtimin e forcës politike që drejton, duke e lidhur atë me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Rama kujtoi zgjedhjet e 26 majit 1996, të cilat i cilësoi si një periudhë të vështirë për opozitën e kohës, duke thënë se socialistët u përballën me dhunë, presione dhe manipulim të procesit zgjedhor. Sipas tij, Shqipëria e asaj kohe ishte larg standardeve demokratike dhe pluralizmit që gëzon sot.

Kreu i qeverisë theksoi se vendi ka bërë një transformim të madh ndër vite dhe se aktualisht ndodhet në një moment historik në raport me Bashkimin Europian.

“Pasi kemi mbyllur fazën e çeljes së të gjithë kapitujve për negociatat, tani kemi hapur fazën e mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave”, deklaroi Rama, duke shtuar se anëtarësimi në BE mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë.

Ai u shpreh se Partia Socialiste ka dëshmuar gjatë këtyre 35 viteve se është forca politike që ka ditur të mbrojë interesin kombëtar dhe të forcojë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Rama vlerësoi gjithashtu përmirësimin e imazhit të vendit në botë dhe shprehu bindjen se Shqipëria do të arrijë të bëhet pjesë e familjes europiane.

Në përfundim, ai falënderoi mbështetësit e mbledhur në Korçë dhe shprehu optimizëm për një tjetër fitore të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu