Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar sulmin me dron të Rusisë në qytetin Galați të Rumanisë, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe la të plagosur disa civilë, mes tyre edhe një të mitur.

Përmes një reagimi zyrtar, diplomacia shqiptare shprehu solidaritet të plotë me popullin dhe autoritetet rumune, duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.

Sipas MEPJ-së, incidenti përbën një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse, duke treguar se pasojat e luftës në Ukrainë po cenojnë gjithnjë e më shumë sigurinë e vendeve të tjera në rajon.

“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës”, thuhet në reagim.

Ministria thekson se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah aleatëve dhe partnerëve të saj, në mbështetje të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës dhe për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu