
Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, 23 persona janë shoqëruar, ndërsa gjashtë efektivë policie dhe një gazetare kanë mbetur të lënduar.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit bën të ditur se kishte hartuar paraprakisht një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tubimit të organizuar mesditën e 13 tetorit.
Sipas policisë, një grup pjesëmarrësish në protestë kanë nisur veprimet e dhunshme duke dëmtuar fillimisht rrethimin e jashtëm të Ministrisë së Arsimit dhe më pas portën hyrëse, në përpjekje për të hyrë në oborrin e institucionit.
Protestuesit kanë vijuar të godasin godinën me pllaka guri dhe sende të forta, duke thyer xhamat dhe dëmtuar fasadën.
Policia deklaron se efektivët u kanë bërë disa herë thirrje protestuesve të ndalonin sulmin dhe të largoheshin nga oborri i ministrisë, por ata nuk u janë bindur urdhrave.
Sipas njoftimit, gjatë përplasjeve punonjësit e policisë janë sulmuar me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të tjera të forta.
Në këto kushte, Policia e Shtetit thotë se ka ndërhyrë në mënyrë proporcionale, në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde, për të neutralizuar personat e përfshirë në veprimet e dhunshme dhe për të rivendosur rendin.
Nga përplasjet kanë mbetur të lënduar gjashtë punonjës të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një gazetare. Sipas policisë, të shtatë personat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, 23 protestues janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në incidentet e dhunshme.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubime paqësore, por paralajmëron se personat që përfshihen në veprime të kundërligjshme do të përballen me përgjegjësi penale.






