
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi se angazhimi i mundshëm i trupave shqiptare në Gaza mbetet ende në fazën e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Nufi bëri të ditur se Shqipëria ka dërguar një mision vëzhgues në Rripin e Gazës për të parë nga afër situatën dhe mundësitë për vendosjen e forcave shqiptare në terren.
“Kemi dërguar një mision vëzhgues në Rripin e Gazës për të parë gjendjen e situatës atje dhe mundësitë e vendosjes së trupave tona. I gjithë koordinimi bëhet nga forca ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, u shpreh ministri.
Sipas tij, diskutimet po zhvillohen me partnerët amerikanë dhe aleatë të tjerë për të përcaktuar qartë rregullat e angazhimit, bazën ligjore dhe masat e sigurisë për ushtarët shqiptarë.
“Po definojmë më qartësisht se kush do të jenë rregullat, bazat ligjore dhe qasjet që trupat shqiptare do të kenë në terren. Rajoni është shumë delikat dhe kjo kërkon kujdes maksimal”, deklaroi Nufi.
Nufi shtoi se qeveria do të informojë publikun sapo të ketë një vendimmarrje të qartë për nivelin e angazhimit shqiptar në Gaza.
“Do të jemi ne të parët që do t’u bëjmë me dije qytetarëve shqiptarë se si do të angazhohemi, ku do të angazhohemi konkretisht dhe cili do të jetë niveli i rrezikut”, deklaroi ministri.
Sipas tij, qëllimi i këtij angazhimi është të kontribuojë për stabilitetin dhe paqen në një rajon me sfida të mëdha sigurie dhe humanitare.






